Ky është libri i parë i botuar nga “Dora D’Istria”
Poeti i njohur shqiptar Fatos Arapi na ka lënë këtë porosi: “Përherë ka diçka të paarritshme drejt së cilës duhet të shkojmë”. Libri “Si e zbuluam Zvicrën duke ecur. Një shtegtim nëpër alpe dhe histori” përmban përvojën e ecjeve gjatë 10 viteve nëpër bjeshkët dhe alpet e Zvicrës. Përtej përshkrimit të natyrës, në këtë libër shpalosen plot e përplot histori zvicerane - nga tuneli i Gotthardit te Ura e Djallit, nga Appenzelli i djathit deri te kasollet alpine të Glarusit, nga Interlaken në alpet e Bernit deri te liqeni i Luzernit, nga barrierat e betonit të ushtrisë së Zvicrës deri te kufiri gjuhësor mes Zvicrës gjermane dhe asaj franceze, nga liqenet magjike te kasollet mbi shkëmbinj e humnera, nga biografia e themeluesit të Zvicrës moderne - Alferd Escher - deri te Anna Göldi, e cila ka qenë njëra nga gratë e fundit në Europë e cila u akuzua padrejtësisht se është shtrigë dhe u ekzekutua.
Një ambicie tjetër e librit është të heq pluhurin dhe të nxjerr në sipërfaqe disa histori shqiptare të Zvicrës. Këtu do ta gjeni aktorin Aleksandër Moisiun, priftin Lazër Shantoja, kryeministrin e Shqipërisë Fan Nolin, poetin Andon Zako Çajupi, albanologun Franz Baron Nopcsa, fisnikun Konstantin Araniti, i cili në Mesjetë ishte komandant i Gardës Zvicerane në Vatikan; do të gjeni Avdulla Hakajn e Istogut, i cili është mjeshtër i djathit në alpet e Zvicrës siç do të gjeni Mirlinda Fazliun nga Kamenica, e cila drejton një restorant të famshëm malor në bjeshkët e Zvicrës lindore; do të gjeni edhe shumë zviceranë që kanë kaluar dhe lënë gjurmë në trevat shqiptare dhe në Ballkan në përgjithësi - nga shkrimtari Max Frisch te piktori Frank Buchser, nga një oficer austrohungarez me origjinë zvicerane, i cili erdhi në Shkup për të mbikëqyrur reformimin e xhandarmërisë turke në Vilajetin e Kosovës, deri te poeti zviceran Juste Olivier, i cili i kushtoi një poezi kryengritësit suliot Marko Boçari.
Si e zbuluam Zvicrën duke ecur
Pse u shkrua ky libër, të cilin po e prezantojmë sot? Sepse njeriu nuk lind për të qëndruar në një vend. Kush lëviz, zgjeron horizontin. Arti i jep kuptim jetës, e ftillon lëmshin e jetës, e çliron të pavetëdijshmen.